MEK dhe al-Kaeda në Iran- Udha pa krye e SHBA

Categoria: Lajme

Vrasja për të satën herë e numrit dy të al-Kaedës dhe përdorimi i raportit të IAEA si një justifikim për të sulmuar Iranin

Nga Muhammad Sahimi

Dy raportet e fundit janë një paralajmërim serioz për ata që e kundërshtojnë luftën pa fund të SHBA-ve në Lindjen e Mesme. Raportet tregojnë se pavarësisht se Presidenti Trump i ka humbur zgjedhjet, përpjekjet e tij kundër Iranit po vazhdojnë, dhe se ai është në kërkim të një justifikimi për të sulmuar Iranin në javët e fundit të presidencës së tij. Së pari, New York Times raportoi se më 13 nëntor agjentët izraelitë kanë vrarë Abdullah Ahmed Abdullah, me emër lufte Abu Muhammad al-Masri, dhe që supozohej të ishte “numri 2 i al-Kaedës”. Vrasja supozohet të jetë kryer në një lagje të pasur të Teheranit më 7 gusht, në 22 vjetorin e sulmit terrorist mbi ambasadat e SHBA në Kenia dhe Tanzani më 7 gusht të vitit 1998 ku mbetën të vrarë 224 persona dhe qindra të tjerë të plagosur. Al-Masri është akuzuar të ketë qenë ideatori i sulmeve. Sipas raportit, gjithashtu është vrarë edhe vajza e Al-Masrit, Miriam. Irani e ka mohuar raportin.

Raporti befasoi shumë persona, duke përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi, i cili ndjek zhvillimet politike në Iran dhe Lindjen e Mesme. Është bërë e njohur që nga koha kur SHBA-të sulmuan dhe pushtuan Afganistanin pas rrëzimit të vitit 2001, që një numër i operativëve të al-Kaedës, madje dhe një numër i zyrtarëve të lartë, duke përfshirë dhe familjarë të Osama Bin Ladenit, që janë arratisur drejt Iranit, janë arrestuar atje ku një pjesë e tyre janë burgosur dhe një tjetër është mbajtur nën arrest shtëpie. Në vitin 2003 Irani i propozoi administratës së George W Bush-it një shkëmbim të tyre me lidershipin e MEK, një grupi sektar të vendosur në Irak(në atë kohë) që ishte kundërshtar i qeverisë së Teheranit dhe deri në vitin 2012 ka qenë e listuar nga Departamenti i Shtetit si një organizatë terroriste. Për shkak të bashkëpunimit me regjimin e Sadam Husejnit gjatë luftës Iran-Irak, MEK urrehet nga iranianët. Në vitin 2003, lidershipi i MEK po mbrohej nga forcat amerikane në Irak pasi administrata e Bushit pushtoi Irakun.

Por administrata e Bushit e refuzoi ofertën, sepse luftënxitësit kundër Iranit donin dhe vazhdojnë të kenë dëshirë ta përdorin MEK-un kundër regjimit në Teheran. Prandaj, gradualisht, Irani i dëboi anëtarët e al-Kaedës drejt vendit të tyre të origjinës ose i këmbeu ata me al-Kaedën për të liruar disa diplomatë iranianë të cilët ishin marrë peng nga grupi terrorist. Një këmbim i tillë është kryer në vitin 2015. Irani ka liruar 5 anëtarë të lartë të al-Kaedës  dhe i ka dërguar në Jemen, dhe në këmbim al-Kaeda liroi në Jemen diplomatin iranian Nour Ahmad Nikbakht, i cili ishte marrë peng në vitin 2013. Një nga pesë anëtarët e lartë të al-Kaedës, siç është raportuar vetëm nga New York Times dhe askush tjetër, ishte Abu Mohammad al-Misri, i njëjti “numër dy i al-Kaedës” i cili supozohet të jetë vrarë nga Mosadi i Izraelit në gushtin e fundit në Teheran.  Fakti që Al-Misri është këmbyer në vitin 2015, është gjithashtu raportuar në mënyrë të aprovuar në uebin e “Long War Journals”, e lidhur me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), një lob pro izraelit i mirë financuar që ka kundërshtuar marrëveshjen bërthamore me Teheranin të njohur si JCPOA, dhe ka promovuar për një kohë të gjatë krim ekonomik kundër Iranit. Prandaj, nëse al-Misri i është rikthyer al-Kaedës, si është kthyer në Teheran ai, dhe ka jetuar atje i qetë dhe në rehati derisa është vrarë? Kjo sfidon çdo logjikë.

Më e rëndësishmja, përse do t’i lejonte Irani operativët e al-Kaedës të veprojnë të lirë, të japin kontributin e tyre ndaj vendimeve të lidershipit dhe të bashkëpunojnë me të njëjtat grupe të cilat Irani i ka luftuar në Siri në mbështetje të qeverisë siriane, veçanërisht dy grupet më kryesore terroriste, Frontin al-Nusra dhe degën siriane të al-Kaedës, dhe Hayat Tahrir al-Sham, grupin që luftoi qeverinë siriane për vite të tëra, dhe tani janë në provincën e Idlibit në Siri, duke u përpjekur për të bërë një qëndrim të fundit kundër ushtrisë siriane dhe aleatëve të tyre që po përpiqen t’i shpërngulin ata?

Por historia e habitshme nuk përfundon këtu. Më 24 tetor të vitit 2020, National Directorate of Security i Afganistanit deklaroi se forcat e tyre kanë vrarë Abu Muhsin Al-Misri, “numrin dy të al-Kaedës”, i cili jetonte në Afganistan. “The Los Angeles Time” dhe “Voice of America” raportuan të njëjtën gjë më 25 dhe 25 tetor, një ngjarje e cila gjithashtu është festuar në një postim në tuit të Këshillit për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së  Bardhë. Edhe presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, e festoi vrasjen e al-Masrit.  I ngjashëm me al-Masrin tjetër të raportuar nga New York Times, ky ishte gjithashtu egjiptian dhe 58 vjeç kur u vra. A janë këta të dy të njëjtët, apo janë dy njerëz që përdorin të njëjtin pseudonim? Zyrtarët afganë besojnë se janë i njëjti person. Në fakt, pas raporti të New York Times, Mirwais Nab,  Zëvendës Ministri i Jashtëm i Afganistanit i cili po vizitonte Iranin, e refuzoi raportin e Times dhe deklaroi se numri dy i al-Kaedës ishte vrarë në Afganistan, jo në Teheran.  A mund të thuhet se al-Masri është vrarë në Afganistan por Mosadi i Izraelit mashtroi  reporterët e The New York Times duke i bërë të besojnë se është vrarë në Teheran në mënyrë që të provokojnë një sulm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Iranit?

Vrasja e numrit dy të al-Kaedës nga SHBA ose aleatët e tyre është një tregim i vjetër, sepse zyrtarët amerikanë kanë një dekadë që pretendojnë këtë. Në qershor të vitit 2012 CNN raportoi se  Abu Yahya al-Libi, një tjetër “numër 2 i al-Kaedës” është vrarë në Pakistan.  Saktësisht tre vite më pas, CNN raportoi se Naser Al-Wuhayshi, “numri 2 i al-Kaedës” është vrarë në Jemen. Më pas është raportuar që një tjetër al-Masri, sigurisht numri dy i al-Kaedës, Abu al-Khayr al-Masri, është vrarë në Siri. Ai ishte një nga pesë operativët që Irani ka këmbyer me al-Kaedën në vitin 2015 në Jemen.

Por aspekti i habitshëm i raportit të New York Times është pretendimi se zyrtarët amerikanë kanë qëndruar të heshtur në lidhje me vrasjen e supozuar në Teheran. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, një ideolog sionist i krishterë dhe një mbështetët i zjarrtë i Izraelit i cili ka një dëshirë të pangopur për t’u përballur me Iranin, nëse do të mundte, do të fillonte një luftë me atë vend. Si një drejtor i CIA-s, Pompeo lëshoi dokumentet e agjencisë të marra nga vendi i fshehjes së Bin Ladenit në Pakistan, por i dha kopje të avancuar FDD-së. Mesa duket Pompeo ka shpresuar që FDD mund të zbulonte fakte për të lidhur Iranin direkt me al-Kaedën (ashtu siç u përpoq administrata e Bushit të lidhte regjimin e Sadamit me al-Kaedën afërsisht 20 vite më parë), që autorizimi i vitit 2002 për përdorimin e forcës ushtarake në të ashtuquajturën luftë kundër terrorizmit, të mund të përdorej kundër Iranit. FDD  u detyrua dhe publikoi një raport. Por provat e nxjerra nga ato dokumente për një lidhje të tillë ishin aq të dobëta saqë janë injoruar plotësisht nga ligjvënësit dhe mediat kryesore.

Pompeo gjithashtu ka punuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun për të organizuar një konferencë në shkurt të vitit 2019 në Poloni, gjoja për Lindjen e Mesme, por qartësisht duke marrë në shenjë Iranin. Kur Irani në qershor të vitit 2019 rrëzoi një dron amerikan duke pretenduar se kishte shkelur hapësin ajrore iraniane në Gjirin Persik, Pompeo u mundua fort për të kryer sulme ushtarake hakmarrëse në Iran, por Trump i refuzoi nxitjet e tij. Kur u krye një sulm me dron dhe raketa me precizion të lartë kundër objekteve të naftës saudite Aramco, sulm që shkaktoi dëme të rënda në industrinë saudite të naftës  duke e treguar të pavlefshëm sistemin mbrojtës Patriot MIM-104 të Arabisë Saudite dhe që Uashingtoni ia atribuoi Iranit, Pompeo e quajti sulmin një “akt lufte” nga ana e Iranit.

Prandaj, mund të pritej që Pompeo të kishte një hapësirë të hapur nëse “numri dy i al-Kaedës” do ishte gjetur duke jetuar i qetë në Teheran dhe do të ishte vrarë nga Izraeli. Kjo do të ishte ajo që ai ishte duke pritur prej vitesh. Një lidhje definitive mes grupit terrorist , liderët e të cilit i kanë urryer gjithmonë shi’itët, dhe Iranit shi’it, që kështu ai të mund të justifikonte sulmet ushtarake kundër Iranit. Prandaj, përse ka qëndruar i heshtur Pompeo? Është kundër çdo logjike dhe kundër asaj që është e njohur për Pompeon dhe urrejtjen e tij ndaj Iranit dhe iranianëve.

Raporti i dytë New York Times është po ashtu alarmues. Ditën e hënë më 16 nëntor raportoi se presidenti Trump është takuar me këshilltarët e tij ditën e mërkurë më 12 nëntor për të diskutuar opsionet e tij për të sulmuar Iranin. Kjo supozohet të jetë provokuar nga raporti i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, i cili tregon se Irani ka 2442.9 kilogramë uranium të pasuruar ( i gjithi i pasuruar nën 5 për qind), sasi e cila është 12 herë më e madhe sa sasia prej 200 kilogramësh që JCPOA e ka lejuar Iranin të mbajë brenda territorit të vendit.

Ajo që nuk është përmendur është kjo që së pari para se të firmosej marrëveshja e JCPOA-së , Irani kishte një sasi shumë herë më të madhe uraniumi të pasuruar se sa ajo, por pas JCPOA -së  97% të saj e ka eksportuar në Rusi, dhe, së dyti, Irani bëri durim strategjik në maj të vitit 2018, kur presindeti Trump e tërhoqi SHBA-në nga JCPOA duke vendosur sanksione të jashtëligjshme, imorale dhe sadiste ekonomike kundër Iranit, dhe në qershor të vitit 2019 kur Irani filloi ta distancojë veten nga JCPOA, saktësisht në akordim me marrëveshjen që e lejonin Iranin të mos i përmbahet asaj nëse ndonjëra nga palët nuk do ta bënte të njëjtën gjë.

Përse presidenti kërkon të sulmojë Iranin, edhe pse dihet që ai supozohet të jetë izolues dhe kundër luftës? Përgjigjja është e qartë, përkrah dëshirës së tij për të shkatërruar plotësisht JCPOA-në në mënyrë që ta bëjë të pamundur për presidentin e zgjedhur Joe Biden të vazhdojë përsëri negociatat me Iranin, Trump po mundohet të mbajë të kënaqur miliarderët sionistë  të cilët  e kanë mbështetur gjatë katër viteve të kaluara, duke financuar zgjedhjen e tij. Kjo jo vetëm që do të ndihmojë bizneset e tij dhe të familjes së tij, në veçanti të dhëndrit të tij Jared Kushner pas presidencës së vet, por gjithashtu do të jetë e dobishme nëse ai ose një familjar i tij do të vendosë të garojë në vitin 2024. Kënaqja e përkrahësve të tij izraelitë do të thotë më shumë vuajtje për popullin iranian dhe Trump nuk do t’ia dijë për Lindjen e Mesme.  E vetmja gjë e rëndësishme për Trumpin është Trumpi.

Muhammad Sahimi, një profesor në Universitetin e Kalifornisë Jugore në Los Angeles


Lini komentet tuaja

Posto koment si mysafir

0 / 300 Character restriction
Your text should be in between 10-300 characters
Komentet tuaja i nënshtrohen moderimit të administratorit.
  • Asnjë koment i gjetur