Ndalohet dalja
Shkeljet e të drejtave të njeriut në kampet e MKO-së
Raporti i Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në vitin 2005
Pjesa e tretë ( e fundit )
Jaser Ezati
Jaser Ezati u lind më 27 maj 1980. Sipas Jaserit, babai i tij Hasan Ezati, i cili njihej ndryshe si Nariman, ishte një nga hetuesit e famshëm në burgjet e MEK. Nëna e tij Akram Gadimelajam ishte vrarë gjatë njerit prej operacioneve. Ezati në moshën tre vjeçare shkoi në Irak bashkë me familjen e tij dhe u rrit brenda kampeve ushtarake të Organizatës Muxhahidine Halk. Gjatë Luftës së Gjirit Persik në vitin 1991, Ezati dhe fëmijët e tjerë brenda kampeve u ndanë nga prindërit e tyre dhe u dërguan jashtë Irakut.
Në tre vitet e ardhshme, Ezati jetoi me tre familje të ndryshme në Kanada. Këto familje ishin mbështetëse të organizatës. Në verën e vitit 1994 organizata e zhvendosi atë ( Ezatin ) në Këln të Gjermanisë. Atje ai qëndroi në shtëpitë grupore të posaçme për fëmijët e Muxhahidinëve. Ezati në moshën 17 vjeçare u rekrutua nga organizata për t’u trajnuar ushtarakisht dhe në qershorin e vitit 1997 u dërgua në Irak. Ai thotë: ‘’ Pas 6 muajsh në Irak vendosa që nuk doja të qëndroja më në organizatë dhe bëra kërkesë për t’u larguar. Gjatë kohës që unë isha në Europë arrija të shikoja një shikoja një fytyrë liberale të organizatës, por brenda Irakut pashë një fytyrë tjetër. Domethënë censurimin e lajmeve dhe mos patjen e të drejtës për të folur rreth çdo çështjeje që dëshironim. Mua më thanë se e vetmja mënyrë për t’u larguar ishte vajtja në Iran dhe unë kisha frikë nga të shkuarit atje.’’
Mënyrat që zbatonte organizata për të kontrolluar mendimet në mesin e anëtarëve e vunë në situatë mjaft të vështirë Ezatin. Sipas tij, anëtarët e lartë të Organizatës Muxhahidine Halk në takimet e shumta u theksonin pjesëtarëve që të mos mendonin për asgjë tjetër përveç marrëdhënieve të organizatës. Ai tha:’’ Ne duhet të shkruanim rregullisht raporte vetë kritikuese. Nëse kishim menduar jashtë ‘kornizës’ që ata donin, atëherë duhet ta raportonim dhe atë mendim.’’ Eksperienca më e vështirë e Ezatit kishte ndodhur në verën e vitit 2001: ‘’ U mbajt një takim i quajtur Taeme i cili zgjati për katër muaj me radhë. Të gjithë anëtarët e kampit morën pjesë në këtë takim. Në atë kohë shumë nga anëtarët donin që të largoheshin nga organizata. Mas’ud Rexhavi shqyrtoi në fillim çështjet themelore të Organizatës Muxhahidine Halk dhe më pas çështjet strategjike. Në fund të fjalimit ai diskutoi çështjen e njerëzve që donin të largoheshin nga organizata. Qëllimi i tij ishte të frikësonte anëtarët dhe t’i prezantonte si tradhëtarë ata që donin të largoheshin. Gjatë këtyre 4 muajve mbledhjet mbaheshin nga mëngjesi në mbrëmje, personat që kishin probleme me organizatën i nxirrnin përpara, i detyronin të bënin vetë-kritikë dhe të thonin se nuk donin të largoheshin. Çdokush që fillonte të tregonte pak nga e vërteta, i shkonin afër dhe e shtynin duke i thënë që ishte bandit i punësuar nga regjimi. Pas 4 muajsh edhe unë kisha stres psikologjik. Nën presionin e këtyre mbledhjeve u detyrova të firmosja disa dokumente ku deklaroja që doja të qëndroja brenda organizatës. ‘’ Në qershor të vitit 2004, që u pasua nga pushtimi i Irakut prej Amerikës, Jaser Ezati mundi që të largohej nga kampi Ashraf dhe sot ai jeton të Europë.
Farhad Xhevaherjar
Farhad Xhavaherjar është një nga ish-anëtarët e Organizatës Muxhahidine Halk në Irak. Ai ka mbajtur pozicione të ndryshme në operacionet e inteligjencës dhe të sigurisë në organizatë. Xhevaherjar në 1995 është njoftuar për burgosjen e anëtarëve disident (të pakënaqur) brenda kampeve të organizatës. Ai i shkroi letër mbikqyrësit të tij se dëshironte të jepte dorëheqjen dhe të largohej nga organizata. Përgjegjësi u përpoq në mënyrë të përsëritur me kërcënime që ta detyronte atë të qëndronte. Pakënaqësitë e vazhdueshme të Xhevaherjar çuan në ndalimin e tij në burgjet e ndryshme brenda kampeve nga nëntori i 1995 deri në dhjetorin e vitit 2000. Më pas ai iu dorëzua zyrtarëve irakianë dhe u transferua në burgun Ebu Gharib.
Xhevaherjar deri në janar të vitit 2002 u mbajt në burgun Ebu Ghurib dhe më pas u kthye në Iran. Ai në gusht të vitit 1982 u bë anëtar i MKO-së në Teheran dhe u bashkua me rezistencën e armatosur . Ai u arrestua nga ana e qeverisë iraniane në tetor të vitit 1984 dhe shpenzoi katër vjet në burgjet Evin, Ghezelhesar dhe Gohardasht. Pas lirimit kontaktoi me forcat e MEK në Europë dhe me ndihmën e tyre u dërgua ilegalisht në Karaçi ( Pakistan ) dhe më pas në Irak. Xhevaherjar u fut në Irak në vitin 1989 dhe u bë një anëtar aktiv i krahut ushtarak të MKO-së.
Xhevaherjar në vitin 1995, pasi u informua për arrestimin e disa anëtarëve të organizatës në kampet e Irakut, e humbi shpresën e tij nga MEK:’’ Në korrik të vitit 1995 u ktheva nga një operacion zbulues në kampin Ashraf. Disa muaj më parë e kisha vënë re se disa nga miqtë e mi ishin zhdukur dhe mua më kishin thënë se ishin dërguar për të kryer misione në Iran. Më pas, kur pashë dy prej tyre Akbar Akbari dhe Ali Taleghani, më thanë se gjatë gjithë kësaj kohe ishin mbajtur të burgosur nga organizata dhe ishin detyruar që të bënin pranime të rreme në lidhje me sistemin e inteligjencës iraniane. Gjithashtu ishin detyruar që të firmosnin dokumente ku pranonin se nuk do t’i ndërprisnin asnjëherë marrëdhëniet me organizatën. Unë nuk mund ta besoja së MEK ishte duke përdorur të njëjtat metoda që përdorte qeveria iraniane ( flitet për Iranin e kohës së Shahut ), torturat dhe detyrimet për të firmosur deklarata të rreme. I shkruajta disa herë mbikqyrësit tim duke u ankuar rreth këtyre çështjeve dhe bëra kërkesë për shkëputjen e marrëdhënieve me organizatën, por asnjëra nga kërkesat e mia nuk pati efekt.
Xhevaherjar insistoi për kërkesën e tij të largimit, por atij iu tha se për shkak të informacioneve të tij të shumta rreth aktiviteteve të MKO-së nuk do t’i lejohej dorëheqja. Xhevaherjar kur e kuptoi se nuk i lejohej largimi, vendosi të arratisej. Ai më 28 nëntor të vitit 1995 iku nga kampi Ashraf dhe u përpoq të arrinte kufirin jordanez, por dy ditë më vonë, domethënë më 30 nëntor u arrestua nga forcat irakiane në afërsi të qytetit të Tikritit. Ndonëse Xhevaherjar u kërkoi forcave irakiane që mos ta dorëzonin te organizata, ai u kthye në kampin Ashraf. Pesë vjetët e mëvonshëm, nga nëntori i 1995 deri në dhejtor te vitit 2000, ai i kaloi në qelitë e ndryshme të izolimit brenda kampeve të organizatës. Ai thotë: ‘’ Në dy muajt e parë u mbajta i burgosur në një dhomë të ndërtuar që quhej Bengal, më thanë që nuk mund të dilja nga kampi. Thanë se mund të zgjidhja të punoja në një furrë buke ose të fshija rrugët. Kur unë nuk pranova, sjellja e tyre u përkeqësua dhe më transferuan në një burg në rrugën 400 të kampit Ashraf. Ishte një qeli tre me dy e gjysëm, kishte një korridor një metër të gjerë dhe tre metër e gjysëm të lartë dhe një banjë të vogël të bashkangjitur. Në shkurt të vitit 1996 shumë herë bërtisja dhe ankohesha me zë të lartë. Për të më ndëshkuar më burgosën në një tualet për tre javë me radhë, ishte shumë e vështirë. Nuk kishte asnjë vend për t’u shtrirë ose për t’u mbështetur. Dyshemeja ishte me tulla të ftohta dhe të lagura. Me të vërtetë që ishte një eksperiencë e tmerrshme.’’
Udhëheqësit e organizatës, si dhe Mas’ud Rexhavi i premtuan Xhevaherjarit se do të lirohej së shpejti, por çdo herë ata i shkelnin me këmbë premtimet. Xhevaherjar u mbajt i mbyllur në qelitë e izolimit të kampit Ashraf dhe Parsjan deri në dhjetor të vitit 2000. Më pas ai iu dorëzua agjentëve të inteligjencës irakiane. Ai ndenji një muaj në burgun Mohaberat dhe më pas u transferua në burgun Ebu Gharib. Xhevaherjar më 21 janar 2002 u riatdhesua në Iran. Ai u largua nga Irani dhe tani jeton në Europë.
Ali Ghashgavi
Ali Ghashgavi në vitin 1989 iu bashkua MKO-së si një luftëtar. Në shkurt të vitit 1995, gjatë Kontrollit të Sigurisë, ai u arrestua dhe u mbajt për katër muaj në kampin Ashraf. Në një intervistë me Human Rights Watch ai përshkroi përvojën e katër muajve: ‘’ Një natë, në janarin e 1995, më thanë se komandantja e qendrës me emrin Masume Malekmohamedi, pjesë e Këshillit Udhëheqës, kishte punë me mua. Atëherë unë isha akoma në hapat e parë. Mendoja se komandantja e qendrës kishte punë me mua, një problem do të zgjidhej nga unë dhe do të ulesha pranë të mëdhenjve plot madhështi. Hipa në një makinë ushtarake, ishte gati mesi i natës. Shkuam në një zonë me ndërtesa të quajtur Eskan, në të cilën jetonin më parë anëtarët e organizatës që kishin familje. Ishte një vend mjaft i frikshëm që ndodhej në një cep shkretëtinor të kampit Ashraf. Pashë që pesë gjashtë persona ndodheshin aty. Mua më lanë dhe më thanë të prisja në një dhomë. Pas meje sollën dhe një person tjetër në atë dhomë të quajtur Husein Nazem. Husein Nazemi, për shkak se kishte qenë për shumë vjet në burgjet e Republikës Islamike, e kishte nuhatur pak situatën, por unë në atë moment isha shumë i thjeshtë dhe nuk e kuptova fare se çfarë po ndodhte. Papritur disa njerëz erdhën. Na mbyllën sytë, na lidhën duart, na hipën në një makinë dhe u sollën vërdallë për afërsisht gjysëm ore në shkretëtirë.
Më në fund, pas gjysëm ore, na çuan në një vend që deri atëherë nuk e dija që ishte një burg përafërsisht në mes të kampit. Në rrugën 400 të kampit Ashraf, afër çisternës së ujit. Deri atëherë mendoja se aty mbaheshin municionet ose dokumentet konfidenciale. Ne na çuan aty, na morën rrobat tona dhe na dhanë rroba të burgosurish. Na hodhën në fund të një qelie të madhe. Pamë që aty ndodheshin afërsisht 25 vetë. Qelia ishte në katin bazë, kishte një dritare të vogël jashtë ndërsa dushi, tualeti dhe gjëra të tilla ishin vendosur aty brenda. Aty ditë për ditë merrnin njerëz për t’i pyetur, i rrihnin dhe i sillnin përsëri.
Një nga mënyrat e të rrahurit ishte goditja e këmbëve të të burgosurve me çizme ushtarake që pjesën e përparme e kishin prej hekuri. Një tjetër torturë ishtë lidhja e një litari të trashë rreth qafës së të burgosurve dhe rrotullimi i tyre në tokë. Kur ktheheshin në qeli, qafat i kishin aq të enjtura saqë kokat bashkë me qafat e tyre merrnin madhësinë e një jastëku. Goditjen e këmbëve unë e përjetova vetë dhe e kuptova se me çfarë godisnin. Gjatë njërës prej marrjeve në pyetje, hetuesi më tha se nëse nuk i siguroja atij që do të qëndroja përgjithmonë pranë udhëheqësit, ai do të më vriste aty. Unë i thashë se në ç’mënyrë më të mirë mund t’i jepja siguri atij. Kisha ardhur që të luftoja me regjimin. Siguri më të madhe se aq ? Më tha jo. Tani që kishte ardhur revolucioni ideologjik ishte e vështirë dhe se unë doja të ikja. Tha se e shikonte në sytë e mi që unë s’kisha për të qëndruar.
Hetuesi shkoi në dhomën tjetër dhe tha se do të vishte këpucët dhe do të ma tregonte qejfin mirë. Ishte shume i ndyrë nga goja. Veshi këpucët ushtarake që e kishin me hekur pjesën përpara. Dy të tjerë bënin roje. Me ato këpucë më godiste te këmbët dhe të gjunjët. Aq fort më goditi saqë unë e humba ekuilibrin dhe ende kam dhimbje. Hetuesi vazhdoi të më godiste nga 30 deri në 36 orë. ‘’
Ghashgavi u lirua në maj të vitit 1995. Para se të lirohej ai u vizitua nga Mas’ud Rexhavi i cili i tha se Ushtria Çlirimtare e ka liruar .
Pas kësaj eksperience Ghashgavi u përpoq që të gjente mënyra për t’u arratisur nga kampi. Më 20 mars 1999 ai u burgos për 45 ditë dhe më pas iu dorëzua forcave irakiane të inteligjencës. Ai qëndroi për 45 ditë të tjera në burgun Muhaberat në Bagdad dhe u transferua në burgun Ebu Gharib. Ghashgavi më 21 janar të vitit 2002 u riatdhesua në Iran. Në Iran, pas marrjes në pyetje, u dënua me 9 vjet burg. 16 muaj pas burgimit ai u përfshi në një leje 24 orëshe për të vizituar familjen. Ai e përdori këtë rast për t’u arratisur dhe në gusht të vitit 2003 u largua nga Irani. Tani ai jeton në Europë.
Alireza Mirasgari
Alireza Mirasgari në vitin 1994 u emërua zëvendës drejtor i njërës prej njësive ushtarke të organizatës, e cila u kthye gradualidht në pikën e lidhjes së MKO-së me ushtrinë irakiane. Në janar të vitit 1995 ai u burgos. Në qershor të po atij viti, pas nënshkrimit të garancive që nuk do të largohej, ai u lirua. Përsëri në vitin 1998 u arrestua dhe u mbajt në qelitë e izolimit për 8 muaj. Në vitin 2001 ai ishte duke planifikuar arratisjen, kur plani i tij u zbulua dhe u burgos deri në vitin 2003. Më pas, forcat irakiane e morën atë nga Organizata Muxhahidine Halk dhe e liruan në kufirin Iran-Irak. Mirasgari e tregon kështu arrestimin e tij të papritur: ‘’ Unë personalisht u arrestova në mënyrë të papritur më 29 janar të vitit 1995. Më thanë që donin të flisnin me mua rreth operacioneve të brendshme. Për mua ishte mëse e natyrshme, sepse e kishim bërë shumë herë këtë gjë. Më çuan në një dhomë dhe më thanë të ulesha derisa të vinin të flisnin me mua. Një person i quajtur Hasan Mohsel, që ishte nga personat e agjencisë së lartë të kundërzbulimit, erdhi që të fliste me mua. Vendosi një letër para meje, më tha se isha i arrestuar me akuzën për depërtim në Ushtrinë Çlirimtare dhe kërkoi që ta plotësoja letrën. Unë nuk arrija ta besoja. U habita shumë dhe fillova të qesh. Mohsel filloi të shante dhe më tha që të shkoja afër murit dhe të qëndroja atje.
Unë shkova afër murit dhe qëndrova atje, kur dy ose tre person u shfaqën, më lidhën duart dhe më mbyllën sytë. U trondita shumë. Mua më futën në bagazh të makinës dhe erdhën vërdallë kampit për rreth 45 minuta.
Më çuan në një vend që nuk e kisha idenë se ku ndodhesha. Një person i quajtur Hasan Sadat Darbandi, emri organizativ i të cilit ishte Adel, më zgjidhi sytë dhe më hodhi në një qeli kolektive. Nuk mund ta besoja që diçka e tillë të ndodhte dhe mendova se në organizatë kishte ndodhur një grusht shteti. Çdo ditë merrnin nga një numër të burgosurish për t’i pyetur, i rrihnin dhe i kthenin me koka dhe fytyra të enjtura. Pas disa ditësh erdhi radha ime për t’u marrë në pyetje. Hetuesi më pyeti se përse isha bashkuar me organizatën. I thashë për të luftuar kundër regjimit. Ai më thoshte se këto fjalë nuk ishin të vërteta. Ditët e para vetëm më rrihnin. Ishte një situatë mjaft dëshpëruese dhe doja të vrisja veten. Unë isha vetëm 17 vjeç kur iu bashkova forcave të organizatës në Irak. Isha nxënës i shkollës së mesme dhe pas asaj e kalova gjithë jetën në organizatë. Në fund u detyrova të shkruaja dokumentet që ata thonin dhe të firmosja që unë isha një i dërguar nga forcat e inteligjencës iraniane. Më pas më çuan në një takim me Mas’ud Rexhaviun i cili më tha se nëse premtoja që të qëndroja me MKO-në edhe për dy vjet të tjera, do të me dërgonin në Spanjë.
Mirasgari në qershor të vitit 1995 u lirua. Ai priti 2 vjet që të lirohej nga organizata dhe të transferohej në Spanjë, por i thanë që për shkak të informacionit të shumtë që kishte nuk mund të largohej. Protesta e Mirasgarit çoi në burgosjen e tij: ‘’ Më 25 mars të vitit 1998 më burgosën përsëri dhe më përballën dhe një herë me dosjen e mëparshme duke më thënë se nisur nga rrëfimi im, unë isha një i infiltruar nga Irani dhe nuk mund të më besonin. Për tetë muaj kam qenë në qelinë e izolimit. Gjatë asaj kohe më thanë se motra ime në Iran ishte arrestuar dhe ishte dënuar me vdekje. Më vonë e kuptova se kjo nuk ishte e vërtetë.’’ Mirasgari u lirua pasi hoqi dorë nga kërkesa e tij për të lënë organizatën. Duke e ditur që organizata nuk e lejonte të largohej, vendosi të gjente një mënyrë për t’u arratisur. Plani i tij u zbulua dhe përsëri e burrgosën. Ai, nga viti 2001 deri në vitin 2003 u mbajt i mbyllur në qelinë e izolimit. Në shkurt të vitit 2003, disa muaj para pushtimit të Irakut nga Amerika, Mirasgari iu dorëzua forcave irakiane. Ata gjithashtu e çuan në kufi dhe e lanë të lirë. Ai tani jeton në Europë.
Akbar Akbari
Akbar Akbari në vitin 1978, në prag të revolucionit të Iranit, u njoh me MKO-në dhe në shkurt të vitit 1979 nisi marrëdhëniet e tij profesionale me ta. Në qershor të vitit 1984 u arrestua nga qeveria Iraniane dhe u burgos për katër vjet. Akbari në shtatror të vitit 1988 u lirua nga burgu dhe disa muaj më vonë u bashkua me forcat e MEK në Irak. Ai në vitin 1993 vendosi që të largohej nga organizata dhe në disa prej letrave të tij kërkoi që të lirohej nga detyrat që i ishin ngarkuar.
Ai thotë: ‘’ Përgjegjësi im ishte Mehdi Abrishamçi, një anëtar i lartë i bordit qëndror. Pasi i shkrova letër atij ku i tregoja qëllimin tim për t’u larguar nga organizata, më thirri në zyrën e tij. I grisi të gjitha letrat e mia dhe i hodhi në kosh. Më tha se çështja përjashtohej dhe nuk duhet t’ia thoja këto fjalë askujt tjetër. Anëtarët e tjerë të lartë të organizatës gjithashtu silleshin në të njëjtën mënyrë gjatë takimeve të tyre.
Akbari ishte përgjegjës i marrëdhënieve të stafit. Ai kishte detyra kryesore e të ndjeshme, si mbrojtja personale e Mas’ud Rexhavi. Akbari në dhjetor te vitit 1993 u arrestua dhe u mbyll në burgjet brenda kampit Ashraf. Ai thotë: ‘’ Marrja në pyetje ishte e frikshme, që nga dita e parë na rrihnin, na mbyllnin sytë dhe na i lidhnin duart pas një karrigeje. Këmbët gjithashtu na i lidhnin pas karriges. Karrigja ishte fikse, ishte ngjitur me tokën dhe unë nuk kisha asnjë mundësi për të lëvizur. Forma e goditjeve ishte e tillë, më gjuanin në këmbë me tubën e ujit ose me çizmet ushtarake dhe në fytyrë gjithashtu më godisnin me një shapkë të thatë plastike. Kërkonin nga unë që të deklaroja se isha i punësuar i regjimit iranian. Pas disa herësh marrjesh në pyetje, vetë hetuesi hartoi një letër dhe më detyroi që ta firmosja. Pastaj më tha se tanimë ishte mëse e qartë që unë isha një i punësuar i infiltruar i regjimit iranian.’’ Më pas Akbari, së bashku me një grup tjetër të burgosurish, u çua për të takuar Mas’ud Rexhavi. Ai u tha se të gjithë kishin marrë falje të kushtëzuar dhe tani mund të ktheheshin në detyrat e tyre të mëparshme. Akbari u lirua nga burgu në qershor të vitit 1995.
Akbari, në shkurt të vitit 1999, u largua nga kampi Ashraf dhe u arratis drejt kufijve të Jordanisë. Forcat e Sigurisë së Irakut e arrestuan atë në qytetin Ramadi dhe ia dorëzuan organizatës. Ai thotë: ‘’ Në kohën kur më dorëzuan te kampi Ashraf, në një dhomë në praninë e anëtarëve të lartë të organizatës, Hasan Mohsel më tha se do të burgosesha si një i infiltruar i Iranit. Mua më dërguan në një vend që quhej Kështjella e Përrallave, ose i njohur ndryshe si Divizioni 54. Atje qëndrova në izolim për afërsisht një vit, nga shkurti i vitit 1998 deri në mars të vitit 1999.’’
Akbari u dorëzua te forcat irakiane në mars të vitit 1999 dhe u mbajt në burgun Ebu Gharib deri më 21 janar të vitit 2002. Më pas ai me të burgosurit e tjerë të luftës së Irakut, u shkëmbye dhe u kthye në Iran. Ai u burgos në Iran, por gjatë një lejeje për të parë familjen u arratis. Akbari tani jeton në Europë.
Seyed Amir Mosgi
Seyed Amir Musgi u bashkua me MKO-në në vitin 1984, por ai u arrestua nga qeveria e Iranit në po atë vit dhe u burgos deri në 1987. Pas lirimit ai shkoi në Pakistan dhe në qershor të vitit 1988 u bashkua me forcat e organizatës në Irak. Mosgi në vitin 2001 kërkoi që të largohej nga MEK, por kërkesa iu kthye kundër. Në shtator të 2001 u zhvillua mbledhja e ‘’gjykatës’’ me praninë e Merjem dhe Mas’ud Rexhavi, të cilët e kundërshtuan largimin e tij. Më pas ai iu nënshtrua ngacmimeve dhe poshtërimeve: ‘’ Pështynin mbi mua, më shanin dhe më gjuanin me shqelma. Më pas më mbyllën në një dhomë ‘’bengali’’ dhe deri me 2 qershor 2002 kam qenë në qelinë e izolimit. Më vonë më dorëzuan te forcat irakiane dhe ata më burgosën në burgun Ebu Gharib. Më 18 mars 2003 më shkëmbyen me Iranin.’’
Lini komentet tuaja
Posto koment si mysafir