Ndalohet dalja (no exit) - Pjesa e dytë

Categoria: Dokumente

Shkeljet e të drejtave të njeriut në kampet e MKO-së
Raporti i Organizatës së Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në vitin 2005

Në vitin 1986, qeveria franceze për të normalizuar marrëdhëniet me Iranin hyri në negociata të drejtpërdrejta me të. Në përfundim të këtyre bisedimeve qeveria franceze i kërkoi Mas’ud Rexhavisë që të largohej nga Franca. Më 7 qeshor 1986 Rexhavi e la Parisin për t’iu drejtuar Bagdadit dhe Organizata Muxhahidine Halk zhvendosi shumë prej burimeve të saj ( njerëzore) atje. Më 20 qershor 1987 organizata njoftoi formimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Brenda një viti, në kohën kur lufta midis Iranit dhe Irakut ishte duke hyrë në vitin e tetë, Ushtria Çlirimtare sulmoi disa herë brenda territoreve iraniane. Sulmi i tyre më i madh ishte operacioni i njohur si ‘’Drita e Përjetshme’’ që u krye menjëherë pas miratimit të rezolutës së OKB-së për armëpushim nga ana e Iranit më 18 qershor 1988. Pas përfundimit të luftës Iran-Irak, Sadam Huseini i kufizoi aksionet ushtarake të organizatës kundër Iranit. Mungesa e aktiviteteve ushtarake në kampet e MKO-së,  së bashku me përshpejtimin e ‘’revolucionit ideologjik’’, çoi në rritjen e pakënaqësisë brenda organizatës.

 Me shfaqjen e mospajtimeve brenda MEK, shumë nga  ish-anëtarët e organizatës të cilët janë intervistuar, në këtë raport  kanë numëruar këto si arsyet për të lënë MKO-në : disfata ushtarake në rrëzimin e qeverisë së Iranit gjatë operacioneve të korrikut 1988, divorcet e detyruara në masë,si pjesë e revolucionit ideologjik dhe gjithashtu torturat nga operativët e organizatës gjatë kontrollit të sigurisë  në vitet 1994 dhe 1995.

Operacioni Drita e Përjetshme
MKO i kanë trajnuar ushtarët e tyre brenda Irakut nën flamurin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila kishte krijuar kampe të  ndryshme në gjithë vendin dhe kishte trajnuar mijëra njerëz për luftë guerile ndaj Iranit. Gjatë luftës së Irakut me Iranin, forcat e Ushtrisë Çlirimtare kanë sulmuar në mënyrë të rregullt trupat iraniane përgjatë kufirit dhe kanë sulmuar disa herë brenda territoreve  iraniane. Sulmi më i madh i kësaj ushtrie ndodhi pasi Irani pranoi armëpushimin me Irakun sipas Rezolutës 598 të OKB-së.  Irani e pranoi Rezolutën e OKB-së më 18 korrik 1988. Pas kësaj, rreth shtatë mijë trupa të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare u dërguan menjëherë për të sulmuar Iranin dhe ky sulm u quajt Operacioni Drita e Përjetshme.

Udhëheqësi i MKO-së, i bindur se qeveria iraniane ishte e dobët dhe e pambrojtur ndaj kryengritjes popullore, arriti në përfundimin se sulmi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ishte ‘’shkëndija’’ e kësaj kryengritje do që t’i hapë rrugë futjes së forcave të saj ( ushtrisë) në Teheran dhe përmbysjes së qeverisë.
Mas’ud Rexhavi në prag të këtij operacioni u tha trupave të tij: ‘’ Ne nuk do të luftojmë vetëm, populli do të jetë me ne. Ata janë të lodhur nga ky regjim dhe veçanërisht që pas kohës së armëpushimit duan që të çlirohen përgjithmonë prej tij. Ne vetëm duhet të veprojmë si mburoja e cila mbron njerëzit nga sulmet e ushtrisë. Kudo që të shkelim, masat popullore do të bashkohen me ne dhe të burgosurit që do të lirojmë gjithashtu, do të bëhen ndihmësit tanë për të arritur fitoren. Në fund të këtij Bahmani ( muaji i njëmbëdhjetë i kalendarit Iranian ) do ta thyejmë regjimin. Ju nuk keni nevojë të mbani gjë me vete, sepse ne do të notojmë si peshqit në detin e popullsisë, çfarëdo që të dëshironi, ata do t’jua japin. ‘’
 
Më 24 korrik 1988 forcat e Ushtrisë Çlirimtare u larguan prej kampeve të tyre dhe u futën në Iran nga kufiri Hosravi. Ata fillimisht në qendër të provincës Kermanshah, e cila është rreth njëqind milje brenda territorit iranian, u takuan me një rezistencë të vogël. Ushtria dhe Grada Revolucionare iraniane nisi veprimet për të mbrojtur Kermanshahun. Pas humbjeve të rënda që pësoi, Ushtria Çlirimtare Kombëtare u detyrua të tërhiqet deri në kufijtë e Irakut. Sipas Mas’ud Benisadr: ‘’ Dhjetë vjet më vonë organizata publikoi emrat dhe fotot e personave të vrarë në këtë operacion , numri i të cilëve u deklarua 1304 persona. Përveç kësaj 1100 njerëz të tjerë u plagosën dhe 11 prej tyre vdiqën më vonë.

Dështimi i Ushtrisë Çlirimtare ishte një pikë kthese për shumë prej forcave që e kuptuan se fuqia e tyre ushtarake ishte tepër a pamjaftueshme për t’i dhënë fund qeverisë iraniane. Muhamed Iskanderi, një tjetër nga ish-anëtarët e MKO-së që u plagos gjatë operacionit Drita e Përjetshme, shkruan:’’ Pesimizmi dhe mungesa e besimit në udhëheqjen e Rexhavi po rritej nga dita në ditë dhe shumë prej anëtarëve kërkonin ndarjen nga organizata. Gjendja shpirtërore pas humbjes dhe trupat e personave të plagosur ishin shenja të dështimit të taktikës dhe strategjisë ushtarake  Rexhavi.’’
Mas’ud Benisadr gjithashtu e kujton gjendjen pas operacionit si një pikë kthese për shumë prej anëtarëve:’’ Operacioni Drita e Përjetshme e shkatërroi politikën tonë, por më e rëndësishmja, operacioni për mua dhe shumë të tjerë ishte tregues i fundit të ideologjisë, besimit dhe moralit. Vlerat tona themelore humbën kuptimin e tyre dhe nuk ishin më inkurajuese. Ne të gjithë u kthyem në aktorë që luanin dhe mbanin me shpresë njëri-tjetrin. Kjo gënjeshtër arriti kulmin gjatë kohës që udhëheqësi jonë ideologjik gaboi në parashikim dhe nuk e pranoi vendimin e tij. Ne na ishte thënë se besimi i Muxhahidinëve ka dy parime (shtylla) themelore: sakrifikimin dhe ndershmërinë. Pas operacionit, burimi i ndershmërisë u tha plotësisht dhe organizata mbeti e bazuar vetëm në një shtyllë (parim): sakrifikim dhe më shumë sakrifikim.

Divorcet e detyruara
Sakrificat u llogaritën të nevojshme që të kryheshin nga anëtarët e organizatës, nga udhëheqësi i organizatës si dhe në formën e një serie të ‘’ revolucioneve ideologjike’’.  Lideri i organizatës u kërkoi të gjithë anëtarëve që të ndaheshin (divorcoheshin) nga të afërmit fizik dhe shpirtëror për të rritur kështu aftësitë e tyre ushtarake. Në këtë faze të revolucionit ideologjik, personat e martuar u detyruan t’u japin fund lidhjeve të tyre martesore dhe emocionale. Mas’ud Benisadr shpjegon se si u krye ky proçes gjatë takimeve ideologjike të anëtarëve ekzekutiv dhe qëndror pas dështimit të organizatës në Iran: ‘’ Puna e parë që duhet të bëja në Bagdad ishte vrojtimi i videos së takimit të anëtarëve ekzekutiv dhe qëndror. Ky takim që quhej ‘’Imami i Kohës’’ fillonte me një pyetje të thjeshtë:’’ Kujt i detyroheshim  ne për gjithë arritjet tona … qëllimi ishte që të theksohej se nëse  ne do të bëheshim një me udhëheqësin tonë, ashtu siç ishte ai me Imamin e Kohës dhe Zotin, mund të arrinim në Teheran. Ai (udhëheqësi) ishte i gatshëm që çfarëdo që kishte ( domethënë të gjithë ne ) ta jepte në rrugën e Zotit.

Rexhavi duke pretenduar se ishte duke menduar vetëm për vullnetin e Zotit, priste që ne të arrinim në përfundimin se midis tij dhe Imamit të Kohës nuk ekzistonte asnjë pengesë dhe asnjë ndërmjetësues, por midis nesh dhe atij ( Rexhavisë) ekzistonte një pengesë e cila na ndalonte ta shikonim atë në mënyrë të qartë. Kjo pengesë ishte dobësia jonë. Nëse ne do ta kishim pranuar atë, do të mund të shihnim se si dhe pse dështuam në operacionet si Drita. Mas’usi dhe Merjemja nuk kishin asnjë dyshim se ishin pengesë mes nesh dhe grave tona. Urdhëri i organizatës për divorcin në masë u bë shkak i ankthit dhe konfuzionit të shumë prej anëtarëve.’’

Mas’ud Benisadr i shpjegon kështu detajet e atmosferës  në kampin Ashraf gjatë asaj kohe: “Atmosfera në bazë ishte komplet ndryshe…Situata ishte e mjerueshme…Dukej se të gjithë ishin në një fazë të re të revolucionit ideologjik. I vetmi diskutim legjitim ishte revolucioni dhe shkëmbimi i përvojave të ngjashme. Përveç këtyre asgjë tjetër nuk ishte e rëndësishme, bota jashtë nuk ekzistonte... Madje dhe beqarëve u duhej të ndaheshin nga ‘’pengesat’’ e tyre.Ata të shkretë nuk e dinin se cilët persona ishin pengesat e tyre. Dukej sikur kjo ishte njëlloj për të gjithë burrat dhe gratë që kishin ndjenja për njëri-tjetrin. Më vonë unë e kuptova se kërkesa e organizatës nuk ishte thjesht për  një divorc ligjor, por për një divorc shpirtëror dhe ideologjik gjithashtu. Unë duhej ta largoja gruan time “Anën” nga zemra ime. Në fakt, unë duhej të mësoja ta urreja atë për shkak se ishte një pengesë midis meje dhe udhëheqësit tim.Në atë mbledhje, Mas’ud Rexhavi njoftoi se si lideri ynë ideologjik, jepte urdhër që të gjithë kolektivisht të ndaheshim nga gratë tona. Ai u kërkoi të gjithëve që t’i dorëzonin unazat e martesës, në qoftë se nuk i kishin dorëzuar akoma. Ajo mbledhje e cila zgjati një javë, ishte mbledhja më e pështirë në të cilën kam marrë pjesë.”

Kontrolli i sigurisë
Forcat  e sigurisë së MKO-së gjatë fundit të vitit 1994  dhe fillimit të 1995  arrestuan mjaft anëtarëve në brendësi të kampeve të tyre që ndodheshin në Irak. Këta persona u morën në pyetje dhe u akuzuan për spiunazh në favor të qeverisë së Iranit. Të burgosurit, pasi u detyruan të firmosnin një letër ku bënin një rrëfim të rremë, u lanë të lire duke shprehur dashuri dhe besnikëri ndaj udhëheqësit të organizatës. Disa nga anëtarët e MEK që u intervistuan rreth kësaj çështjeje  ishin  një pjesë e të  burgosurve të asaj kohe. Emrat e tyre janë: Farhad Xhevaherijar, Ali Kashkavi, Alireza Mirazgari, Akbar Akbari dhe Abas Sadekinezhad. Sipas asaj që shprehin ata,gjë që është përshkruar në seksionin tjetër, arsyeja e këtyre arrestimeve ishte përhapja e frikës në mesin e disidentëve dhe marrja e dëshmive të rreme se ata ishin agjentë të qeverisë iraniane. Kjo periudhë njihet si periudha e kontrollit të sigurisë.

Në fund të vitit 1994 organizata i informoi trupat e saj në Irak se ka në plan të dërgojë ekipe të vogla në Iran për të kryer disa operacione. Ferhad Xhevahirjar u tha Vëzhguesve të të Drejtave të Njeriut:’’ U shpërnda një mesazh nga Rexhavi në të cilin thuhej se gjendja e brendshme e Iranit ishte e trazuar tani dhe ata që dëshironin të shkonin atje, për të ndërmarrë veprime revolucionare dhe për të stimuluar popullin drejt revolucionit, ishin të lutur të paraqisnin një kërkesë me shkrim. Radhë të gjata u formuan në zyrat e udhëheqësve. Aplikimi ishte rreth dyzet faqe dhe kishte qindra pyetje.’’  Alireza Mirazgari, një tjetër nga ish-anëtarët e MKO-së u tha Vëzhguesve të të Drejtave të Njeriut se gjatë asaj kohe, kudo në kampin Ashraf u përhap pakënaqësia:’’ Në fund të vitit 1995, një valë pyetjesh dhe kundërshtimesh arriti kulmin në organizatë, operacionet ushtarake ishin pakësuar dhe anëtarët e MEK kishin kohë të mjaftueshme pët t’u menduar. Shumë ishin duke kërkuar ndarjen nga organizata, kur unë kuptova se një numër personash rreth meje ishin zhdukur dhe sa herë që pyesnim për ta, na përgjigjeshin se kishin ikur me mision në Iran. Më pas e zbulova se këta persona ishin arrestuar dhe burgosur nga organizata. Unë vetë u arrestova në fillim të janarit të vitit 1995.

Shkeljet e të drejtave të njeriut
Brenda kampit të Organizatës Muxhahidine Halk, shkelje të shumta të të drejtave të njeriut u kryen nga lidershipi kundër anëtarëve disident, përfshirë këtu burgimin e gjatë, ndërprerjen e kontakteve me botën jashtë, izolimet,  goditjet dhe plagosjet, abuzimet psikologjike dhe verbale, rrëfimet e detyruara, kërcënimet me vdekje dhe torturat që në dy raste rezultuan me vdekje. Deklaratat e ish-anëtarëve të MKO-së tregojnë se kjo organizatë përdorte tre lloje burgjesh brenda kampeve të saj në Irak:
Sipas të anketuarve, llojet e para të njësive të banimit kanë qenë të vogla  dhe njiheshin si shtëpi mysafirësh. Ata persona që donin të largoheshin nga organizata janë mbajtur në këto njësi banimi dhe kryesisht në izolim. Ata nuk lejoheshin  të takohen, të bisedonin me dikë në kamp , të kontaktonin me të afërmit dhe miqtë dhe gjithashtu nuk lejoheshin të dilnin nga kampi. Kerim Haki, një anëtar i lartë i Muxhahidinëve Halk i cili shërbeu si kreu i sigurisë së Mas’ud Rexhaviut, për Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut  tha: “Unë në vitin 1991 kam shërbyer si shefi i sigurimit në organizatë për të mbrojtur Rexhaviun. Ata nuk e besonin që unë doja të largohesha. Mua së bashku me gruan dhe fëmijën tonë gjashtë muajsh na dërguan dhe burgosën në një vendbanim të quajtur Eskan  ku ndodheshin një seri banesash që më parë  përdoreshin për anëtarët e martuar. Rreth këtyre banesave ,orgnaizata kishte ndërtuar mure të larta dhe mbi to kishte vendosur tela me gjemba dhe kulla vrojtimi. Gjatë asaj kohe ata na pakësuan racionet ushqimore, na rrihnin, na fyenin dhe na kërcënonin me vdekje.”
 
Muhamed Reza Iskanderi dhe gruaja e tij Tahire të cilët që të dy janë ish-anëtarë të MKO-së, u thanë Vëzhguesve të të Drejtave të Njeriut se pasi  dhanë kërkesën e  tyre për t’u larguar nga organizata në vitin 1991, u burgosën në shtëpinë e mysafirëve: “Kur ne u futëm në kampin e organizatës, na i morën pasaportat dhe dokumentet dhe më vonë kur ne u thamë që kishim për qëllim të largoheshim, nuk na i dhanë. Ne na burgosën në një vend tjetër në ndërtesat e quajtura Eskan. Më pas na dërguan në një kamp refugjatësh të quajtur Al-Tash  pranë qytetit të Ramadit. Jeta në Al-Tash ishte mjaft e vështirë, ishte një vdekje e ngadaltë dhe njerëz të dërguar nga organizata gjithashtu nuk na linin të qetë dhe na shqetësonin vazhdimisht. Më në fund , në shtator  të vitit 1992 arritëm të merrnim azil nga Hollanda.”
Lloji i dytë i izolimit brenda në kampet e MKO-së quhej <<Bengali Shodan>>. <<Bengali Shodan>> është një emër që u përket dhomave shumë të vogla në një banesë të ndërtuar posaçërisht për një person. Anëtarët e pakënaqur dhe persona të tjerë janë mbajtur të izoluar në këto dhoma. Burgosja në dhomën e izolimit ishte një dënim për personat të cilët sipas mendimit të udhëheqjes së organizatës, kishin bërë gabime. Gjatë burgosjes këta persona duhej të mendonin dhe reflektonin rreth gabimeve të tyre dhe në raporte të shkruanin kritika për veten. Mas’ud Benisadr i cili ishte përfaqësuesi diplomatik i organizatës në Evropë dhe Amerikën e Veriut, shkruan se pas një mbledhjeje me Mas’ud Rexhavi dhe disa anëtarë të tjerë të MEK, ata arritën në këtë përfundim se ai(Benisadr) ishte i korruptuar dhe duhej burgosur në dhomën e izolimit. “Më pas udhëheqësi im më kërkoi të burgosesha në dhomën e izolimit dhe të mendohesha.Unë u izolova që do të thonte se duhej të mendoja dhe të shkruaja. Kjo është një torturë e rëndë psikologjike. Disa anëtarë të organizatës preferonin të vrisnin veten më mirë se sa të izoloheshin atje.”
Lloji i tretë, sipas raportimeve të dëshmitarëve ishte burgosja , torturimi fizik dhe marrja në pyetje në burgjet e fshehta brenda kapmeve të organizatës. Këto burgje janë përdorur kryesisht për të pakënaqurit politik. Shumica e anëtarëve të MEK nuk ishin në dijeni për ekzistencën e këtyre burgjeve.  Personat që janë burgosur  atje, në bisedimet me Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut, shprehën se nuk ishin në dijeni për këtë gjë derisa e përjetuan personalisht burgosjen atje.
Njëri nga dëshmitarët me emrin Muhamed Husein Sobhani me të cilin kanë biseduar Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut, ka shpenzuar tetë vite e gjysëm të jetës së tij në dhomat e izolimit jashtë kampeve të organizatës nga shtatori i vitit 1992 deri në janar të 2001.  Një dëshmitar tjetër, Xhevahirijar, është izoluar i vetëm për pesë vite nga nëntori i 1995 deri në dhjetor të vitit 2000 . Që të dy ishin anëtarë të lartë të organizatës të cilët kishin shprehur qëllimin e tyre për tu larguar, por atyre u thanë se për shkak të informacioneve të shumta që kanë për organizatën nuk mund t’i lejojnë të largohen. Ata u izoluan dhe më vonë u dorëzuan te autoritetet irakiane, të cilët i burgosën  të dy në burgun Ebu Garib.
 Katër dëshmitarë të tjerë të cilët kanë biseduar me Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut  thanë se janë burgosur gjatë kohës së kontrollit të sigurisë gjatë viteve 1994 dhe 1994 për arsye se ishin të dyshuar për pakënaqësi. Ali Kashkavi, Alireza Mirasgari, Ali Akberi dhe Abas Sadekinezhad , duke u torturuar dhe marrë në pyetje me ashpërsi, u detyruan të nënshkruajnë një deklaratë të rreme se kishin lidhje me shërbimin inteligjent iranian. Abas Sadekinezhad, Ali  Kashkavi dhe Alireza Mirasgari gjithashtu janë dëshmitarë të vdekjes së Parviz Ahmedit në shkurt të vitit 1995  brenda në njërin  nga burgjet e fshehta të organizatës. Këta të tre gjatë viteve të kontrollit të sigurisë u burgosën së bashku në një qeli.
Parviz Ahmedi gjithashtu ishte një nga anëtarët e pakënaqur të MEK i cili ishte burgosur në po atë qeli. Ali Kashkavi u tha Vëzhguesve të të Drejtave të Njeriut se Parviz Ahmedin në ditën e dytë të burgimit të tij e morën në pyetje: “Ishte dita e parë e Muajit të Ramazanit kur gardianët e burgut e morën Parviz Ahmedin për t’i bërë kontroll. E kthyen pas disa orësh. Pashë që e kishin goditur aq shumë saqë nuk kishte mbetur më gjë nga ai njeri dhe pas disa orësh dha shpirt.”
Abas Sadekinezhad  i cili ndodhej në të njëtën qeli i kujton në këtë mënyrë momentet e fundit të jetës së Parviz Ahmedit: “Dera u hap dhe brenda në qeli hodhën njërin nga të burgosurit me fytyrë në dhe. Në fillim nuk e njoha. Ishte rrahur shumë. E pashë që ishte Parviz Ahmedi të cilin e kishin dërguar para disa orësh për ta marrë në  pyetje. Ai kishte plagë në tërë trupin dhe po binte në koma. U munduam shumë ta ndihmonim por pas 10 minutash ndërroi jetë në prehërin tim. Gardiani hapi derën dhe e tërhoqi jashtë trupin e tij pa jetë.”
Alireza Mirasgari, njëri nga dëshmitarët e kësaj ngjarjeje gjithashtu e ka konfirmuar mënyrën e vdekjes së Parviz Ahmedit. Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut kanë shtënë në dorë një revistë të Muxhahidinëve Halk të botur më 2 mars 1998 në të cilën Parviz Ahmedi përmendet si një dëshmor i MEK i vrarë nga forcat e iraniane të zbulimit. Abas Sadekinezhad në bisedën me Vëzhguesit e të Drejtave të Njeriut shprehu se është dëshmitar i vdekjes së një të burgosuri tjetër të quajtur Kurban Ali Torrabi. Torrabi pasi u kthye nga një marrje në pyetje, vdiq në qelinë ku ishte burgosur Sadekinezhadi.


Dëshmia e Muhamed Husein Sobhani
Muhamed Husein Sobhani u izolua i vetëm në qeli për tetë vite e gjysëm nga shtatori i vitit 1992 deri në janar të 2001 në kampin kryesor të MKO-së në Irak, kampin Ashraf. Më pas ai u dërgua në burgun Ebu-Garib dhe më vonë në vitin 2002 u largua nga Iraku. Sobhani u lidh për herë të parë me organizatën një vit pas revolucionit anti monarkik në Iran. Në vitin 1979 ai u angazhua 24 orë pa ndërprerje në organizatë. Ai u zhvedos në Irak së bashku me krahun ushtarak të organizatës. Pozita e Sobhanit në organizatë u rrit gradualisht dhe si përfundim, në vitin 1991 ai u bë anëtar i Komitetit Qëndror të Muxhahidinëve, por ai pati kundërshtime me liderin e MEK në revolucionin ideologjik dhe në çështjen e divorcimeve të detyrueshme. Kundërshtia me Mas’ud Rexhavi, Merjem Rexhavi dhe me disa anëtarë të tjerë të Komitetit Qëndror arriti kulmin në vitin 1992. Sipas Sobhanit,  pavarsisht humbjes së Sadam Huseinit në luftën me Iranin dhe në luftën e Gjirit Persik në vitin 1991  , Mas’ud Rexhavi kërkonte që MEK të vazhdonte të ishte prezente në Irak. Mas’udi gjithashtu shpresonte që lufta Irak-Iran të fillonte përsëri nga fillimi dhe kishte hartuar strategjinë e tij për  këtë gjë. Sobhani tha se duke patur parasysh dobësinë e ushtrisë irakiane, mundësia e një lufte të re ishte e pamundur, por anëtarët e tjerë të Komitetit Qëndror i cilësuan fjalët e tij si një sfidë kundër udhëheqjes Rexhavi. “ Për sa kohë që kritikat e mia ishin të dobëta organizata nuk mbajti një qëndrim të ashpër me mua, por kur pyetjet e mia u bënë më të rënda, ata e ndryshuan sjelljen e tyre. Në këtë mënyrë, kur jam ngritur të flas ballë për ballë me Mas’ud Rexhavi, Merjemen dhe anëtarë të tjerë të qendrës, pasi konfliktet politike nuk u zgjidhën, ata ishin të bindur se unë nuk kam asnjë pikë të përbashkët me ta. Ata mbajtën një mbledhje më 28 gusht 1992. Mbledhjes ia vendosën emrin “takimi i vendimit” që do të thotë se një person duhet të vendosë nëse do të qëndrojë apo të largohet nga organizata. Zakonisht takimi fillonte me fyerje, kërcënime dhe rrahje. Për arsye se kam patur një pozicion të lartë me mua u sollën në mënyrë më të kujdesshme, por për personat e tjerë  kushtet ishin më të ashpra. Në fund më thanë se pyetjet dhe paqartësitë e mia janë një justifikim dhe se nuk jam më në gjendje për të luftuar.”
Ditën e 31 gushtit të vitit 1992 Sobhani u burgos dhe u mbajt i izoluar në qeli për tetë vite e gjysëm: “Kur shkova brenda në burg, vura re se sjellja e tyre ndaj meje gjatë dy muajve të parë ishte e veçantë nga të tjerët. Që do të thotë se më parë unë kisha kundërshtime politike me organizatën. Unë thoja mendimin tim dhe mendimi nuk është kundërshti ,por diçka tjetër. Unë nuk kisha dyshim në përmbajtjen thelbësore të organizatës. Unë kam mbajtur shënime në murin e qelisë. Përveç rrahjeve të vogla, kam shkruar në mure njëmbëdhjetë tortura të njëpasnjëshme. Akoma i kujtoj rrahjet e shpeshta me shkopinj dhe rripa ushtrie të trashë prej lëkure.”
Në janar të vitit 2001, Sobhani iu dorëzua autoriteteve irakiane. Ai u mbajt dy muaj në qelinë e paraburgimit dhe më pas u transferua në burgun Ebu Garib. Sobhani u mbajt i burgosur deri më 21 janar të vitit 2001 derisa u shkëbye me disa robër lufte me Iranin. Pas tri ditësh  marrjeje në pyetje nga ana e zyrtarëve të qeverisë iraniane, ai arriti të arratisej.  Tani ai jeton në Evropë.


Lini komentet tuaja

Posto koment si mysafir

0 / 300 Character restriction
Your text should be in between 10-300 characters
Komentet tuaja i nënshtrohen moderimit të administratorit.
  • Asnjë koment i gjetur